Aksidentet me vdekje, ja deputetët dhe zyrtarët e akuzuar: si janë denoncuar dhe mbyllur çështjet pa fajtorë…

Aksidenti i mëngjesit të sotëm në aksin Vorë-Tiranë me pasojë vdekjen e një qytetari dhe ku rezulton i implikuar deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, nuk është ngjarja e parë ku një ligjvënës ndodhet në pozitën e të dyshuarit apo edhe të akuzuarit, qoftë politikisht apo edhe të opinionit publik.

Nëse i referohemi ngjarjeve të tilla, historia e aksidenteve të shkaktuara apo ku kanë rezultuar të përfshirë zyrtarë të shtetit apo deputetë janë disa, por më pasoja të rënda si humbje jetësh rezultojnë vetëm 4, me gjithë aksidentin e mëngjesit të së shtunës.

Pavarësisht se deri më tani asnjë prej të akuzuarve, qoftë edhe politikisht si autorë aksidentesh, nuk është marrë nën hetim për të provuar ose jo fajësinë e tyre, ndoshta ngjarja e sotme mund të shënojë një pikë kthese edhe për rastet kur në ngjarje të tilla të rënda janë të përfshirë zyrtarë të shtetit.

Nëse një qytetar i zakonshëm, me automjetin e tij përfshihet në një aksident, ai nuk falet, as moralisht e as ligjërisht.

Brenda pak minutash policia publikon të dhënat, masën e marrë ndaj tij, pamjet filmike, fotot dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me ngjarjen. Ndërsa në ato raste kur të implikuar në aksidente rrugore janë zyrtarë apo ligjvënës të shtetit, gjithmonë ka një hezitim apo një përpjekje për të mbuluar me një mister atë që ka ndodhur, duke shmangur jehonën dhe duke u munduar deri në fund të ruhet anonimati i personit të përfshirë.

Kështu ndodhi edhe sot me komunikatën zyrtare të policisë, e cila jepte me iniciale si shtetasin që kishte humbur jetën, ashtu edhe drejtuesin e mjetit të përfshirë në aksident. Por vetëm kaq, pasi për të nuk thuhej as pozicioni që mban, as mosha dhe asnjë e dhënë tjetër.

Nëse ky është një standard, atëherë e njëjta praktikë duhet të ndiqet me çdo qytetar tjetër në këtë vend që sot, nesër, apo në ditët në vijim mund të përfshihet në një aksident, të cilat në Shqipëri shkaktojnë viktima më tepër sesa çdo vepër tjetër.

Çështja nuk është nëse policia po tenton sot të mbajë disi të fshehur një ngjarje të zbuluar nga mediat, por ky është një mentalitet që mbizotëron ndër vite; ndërsa aksidente të tilla ose janë denoncuar nga partitë politike ose janë hulumtuar nga mediat, por në fund të fundit, institucionet ligjzbatuese nuk kanë lëvizuar as majën e gishtit për të thënë një version mbi atë që ka ndodhur, qoftë edhe pa përcaktuar fajtorë.

Gjithçka është tentuar të mbahet larg vëmendjes, transparencës, madje duke ngritur dyshime të forta për mbylljen e çështjeve pa u hapur asnjë hetim.

Aksidentet ndër vite me pasojë vdekje

Nëse i referohemi statistikave, rastet kur në aksidente janë të përfshirë zyrtarë dhe kur ka pasur pasoja të rënda, janë të pakta.

Sokol Nako, ish-ministër i Transporteve, është përfshirë në një aksident të rëndë, ku humbi jetën një qytetar, ndërsa ai më pas dha dorëheqjen. Aksidenti, që u mbajt fillimisht i fshehtë, dhe më pas u tha se ministri i atëhershëm ishte në një inpektim rrugësh, ndodhi në aksin dytësor Tiranë-Durrës. Në atë kohë, opozita akuzoi ministrin si të përfshirë drejtpërsëdrejti në aksident, por vetëm ditë më pas pati një reagim, kur Nako dha dorëheqjen nga pozicioni ministror dhe më pas u largua nga politika. Në atë kohë çështja u mbyll, ndërsa ish-ministri i Transporteve, duket se zgjodhi rrugën për të “ndëshkuar” veten duke lënë mënjanë karrierën politike.

Rreth një vit më pas, mediat raportuan për një tjetër aksident me makinë, ku edhe sipas denoncimeve të opozitës së atëhershme (PD) akuzoheshin ish-Kryeministri Nano dhe Blendi Klosi, aktualisht deputet. Aksidenti ndodhi në shkurt të 2001-it, pranë Shkallnuerit, fshat në Durrës, ndërsa viktima ishte një shtetas 81 vjeç, që u tha se po ecte anës rrugës. Në atë kohë u raportua se trupi i pajetë i të aksidentuarit përfundoi në një kanal anës rrugës, në rrethana që nuk u zbardhën asnjëherë nga policia dhe prokuroria, por akuzat publike nga opozita fajësonin dy politikanët e lartë që kishte PS në atë kohë. Edhe në këtë rast hetimi u mbyll pa nisur mirë, me pretendimin se autorët nuk dihen, ndërsa asnjë nga emrat e akuzuar nga opozita e atëhershme nuk u thirr në Prokurori. Madje për të zbardhur aksidentin e Shkallnuerit, PD kërkoi në dhjetor të 2003-it, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që nuk u miratua nga mazhoranca socialiste.

Një tjetër denoncim i bërë nga PD është aksidenti i korrikut 2014, ku u akuzua Kryeparlamentari Ilir Meta, aktualisht President i Republikës për fshehjen e ngjarjes.

PD akuzoi se një 19-vjeçar u aksidentua për vdekje nga eskorta e Kryetarit të Kuvendit, që drejtohej nga Ilir Meta, duke vijuar më tej se Ministria e Brendshme dhe policia po manipulonin ngjarjen.

Aksidenti ndodhi në fshatin Bilalas në Manëz, ndërsa viktima ishte kalimtar. Në atë kohë, Ministria e Brendshme, tha se oficeri i gardës që ishte përfshirë në aksident ishte arrestuar, por ai po udhëtonte me automjetin e tij, duke përgënjeshtruar akuzat e PD për një përfshirje në aksident të eskortës së Kryetarit të Kuvendit, apo fshehjen e ngjarjes prej tij.

Aksidenti i fundit që ka ndodhur me përfshirjen e një zyrtari është ai i mëngjesit të 12 gushtit 2017, ku një shtetas 53 vjeçar humbi jetën, ndërsa makina drejtohej nga deputeti Aqif Rakipi, i cili është vetëdorëzuar në polici pak minuta pas ngjarjes. /tesheshi.com/