AKR e Pacollit, kundër Thaçit për shfuqizimin e Speciales: jemi me ndërkombëtarët

Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit i ka dalë “pro” ndërkombëtarëve dhe kundër presidentit Thaçi sa i përket Gjykatës Speciale, pra iniciativës për shfuqizimin e saj.

Deputetët e kësaj partie, Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri ja kanë konfirmuar shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova qëndrimin se nuk do të bëhen pjesë e iniciativës që dëmton marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Ne takim me shefen e misionit të BE në Kosovë dhe diplomatë tjere të rëndësishëm, së bashku me kolegun Labinot Tahiri konfirmuam qëndrimin e AKR; asnjëherë nuk do të bëhemi pjesë e ndonjë iniciative që dëmton marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimorë”, shkruan Pacolli në Facebook.

Kurse deputeti Tahiri ka njoftuar se në takimin e ftuar nga Apostolova ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Britanisë së Madhe, Suedisë dhe Holandës.

“Ne mbetëm me shpresë se Kosova dhe populli i saj janë duke ecur drejt radhitjes me vendet e Bashkimit Evropian. E gjithë kjo varet se si duan të punojnë me përkushtim për popullin e Kosovës, e gjithë klasa politike e vendit”, shkruan Tahiri. /tesheshi.com/

Related posts