728 x 90 Leaderboard

Agjentë të BE-së në pikat ku kalon droga: ja prova që duhet të kalojë Shqipëria deri në maj

Muajin e ardhshëm pritet që një grup i madh i programit FRONTEX të Bashkimit Europian të vendosen në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë.

Pas firmosjes së marrëveshjes mes ministrit të Brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj dhe Komisionerit Europian Avramopulos, tashmë BE do të marrë në dorë pikat kufitare.

Por ajo që duket si “Thembra e Akilit” do të jetë Porti i Durrësit. Pika kufitare dhe kontrollet e trageteve në këtë terminal të rëndësishëm do ta kenë në dorë thuajse totalisht agjentët që do të emërohen nga Brukseli.

Edhe ata nuk do të jenë të përhershëm, por do të vijnë me rotacion në Shqipëri.

Vendimi vjen pas një raporti të hollësishëm të shërbimeve sekrete partnere, të cilat theksonin se Porti i Durrësit prej 27 vitesh është qendra e kalimit të drogave të lehta, por kryesisht ato të rënda drejt Italisë.

Guardia di Finanza italiane ka dorëzuar mujian e shkuar një raport tepër konfidencial, edhe në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, ku shpjegonte në mënyrë të detajuar mekanizmin e kalimit të narkotikëve, por edhe njerëzit që janë marrë me këtë “punë”.

Ekipet nga Agjencia Europiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare, do të krijojnë një rrjet të plotë të monitorimit të kufirit sipas të ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike të Heroinës”, “rrugës së re për kokainën”, por edhe rrugës së hashashit.

Në pikat kufitare ku mendohet se kalojnë drogat e rënda do të ketë një koordinim i plotë me Durrësin për të sinjalizuar lëvizjet e dyshuara të lëndëve narkotike.

Përveç njerëzve që do të jenë të instaluar në pikat kufitare, mësohet se grupe të vogla “undercover” do të shpërndahen nëpër Shqipëri, duke rekrutuar bashkëpunëtorë që të arrihet një depërtim sa më i gjerë për informacioni e trafikut të narkotikëve.

Hapja e negociatave me BE-në është një hap që i heq Shqipërisë një pjesë të rëndësishme të sovranitetit, kryesisht në kontrollin europian për emigracionin dhe trafiqet.

Marrëveshja FRONTEX, është një pakt i cili do të jetë një lloj prove për qeverinë Shqipëtare deri në muajin prill, kur pritet që Komisioni Europian të hartojë raportin për hapjen e negociatave.

Bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare me njerëzit e ardhur nga vendet e BE-së nëpër pikat kufitare do të jetë një grup prove.

Qoftë edhe një lëvizje apo “hile shqiptare” do të shënohet me të kuqe në raportin që do të dërgohet në Bruksel.

Ndaj Edi Rama sot ka vendosur ndryshimin e kreut të Autoritetit Portual të Durrësit. Është larguar Arjan Qirici dhe është vendosur Afrim Bakaj, një kandidat për deputet i PS-së, i cili ka qenë edhe drejtor i AKU-së.

Bakaj konsiderohet si një nga njerëzit e rëndësishëm të PS-së për Durrësin dhe Rama e ka kryer lëvizjen për të pasur më shumë kontroll në port.

Qoftë edhe një problem i vogël mund të kompromentojë më pas raportin që do të dërgojnë agjentët e FRONTEX në Bruksel. 

Agjentët e këtij program të BE-së nuk është se vijnë për herë të parë në Shqipëri.

Në vitin e largët 1996 ata u vendosën në Shkodër për të mbikqyrur respektimin e embargos së naftës që OKB i vendosi Jugosllavisë së Millosheviçit.

Ishin pikërisht raportet e këtij misioni që vendosën me shpatulla për muri qeverinë e atëhershme shqiptare për kontrabandën e naftës. Por në atë kohë BE nuk ishte kaq i konsoliduar sa sot dhe misioni gjithsesi ishte i reduktuar. Grupet që do të vijnë nga fillimi i marsit pritet të jenë të konsiderueshëm në numër.

Shifra reale ende nuk dihet dhe përveç pikave kufitare, agjentët e FRONTEX do ngrenë tre qendra operacionale në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

Këto tre qarqe janë edhe më të njohurat për trafikimin e narkotikëve, ndërkohë që grupe të vogla do të kontrollojnë Krujën, Kurbinin, Dibrën e Matin që gjatë vitin 2016 kanë qenë zonat më kryesore të hartës së hashashit. /tesheshi.com/

Related posts