Agjentë specialë amerikanë kundër krimit shqiptar, ja kur nis operacioni… (batutat)

Agjentë të specializuar amerikanë do të asistojnë institucionet shqiptare në fushën e sigurisë dhe ligjit për të luftuar lidhjet kriminale. Kjo u bë e ditur gjatë seancës parlamentare nga kryeministri Edi Rama, gjatë replikave me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

“Doni të luftoni krimin, atëherë mbështeteni luftën ndaj krimit, ejani të bashkohemi të luftojmë krimin. Mbështet atë që të kërkoi ambasadori amerikan, për të luftuar krimin. Po ju them që në nëntor vijnë agjentë të specializuar në luftën kundër krimit, që do të bashkëpunojnë me agjensitë dhe institucionet ligjzbatuese në Shqipëri për të luftuar krimin dhe lidhjet e tij”, tha Rama.

Ndërkohë mësohet se agjentët do të asistojnë Policinë e Shtetit, Prokurorinë, SHISH dhe çdo institucion tjetër që do të angazhohet në luftën kundër krimit dhe aseteve të tij.

Duke iu përgjigjur akuzave të Bashës, kryeministri theksoi se është e turpshme të thuhet sot që krimi po pastron paratë përmes bankave, në një kohë kur Shqipëria ka një nga ligjet më të forta që parandalon pastrimin e parave.

“Ju po të hiqni nga fjalori krimin, drogën, Elvisin, as tre minuta nuk mbani dot një fjalim në Kuvend. Bëni një provë te selia e SHQUP-it, hiqini këto fjalë dhe shikoni a mbani dot fjalime apo jo.

Dilni sot që ambasadori amerikan doli kundër qeverisë dhe thoi shikoni këtë e atë, ndërkohë që ju çfarë nuk thatë për ambasadorin amerikan kur ishte reforma në drejtësi. Çfarë mendoni ju që shqiptarët nuk e dinë këtë? Ju thonit që ambasadorin ameriikan e ka blerë Sorosi dhe Sorosin e ka blerë Edi Rama, çfarë nuk thatë për të”, theksoi Rama.
Gjatë fjalimit në Kuvend, kryeministri nuk ka lënë mënjanë batutat mes Berishës dhe Bashës.

“Vini këtu dhe më tregoni foton e një personi me Blendi Klosin dhe thoni ja ministri ka dalë me trafikantin. Por ky person ka qenë në çadrën e lirisë dhe ka dalë në foto, atëherë çfarë duhet të them unë? Ju kam thënë merrni Saliun për fotografitë se ai nuk I retushon, e ka mësuar Sulo Gradeci, është fotografi I Enverit”, tha Rama.

Në vijim të batutave, ai I kërkoi Berishës që ti japë fjalën Lulit për të folur pas tij në foltore. “Unë nuk iki nga foltorja për t´ia lënë fjalën Lulit, pasi e ka rradhën Berisha. Nëse Berisha ia jep të drejtën e fjalës, unë e mbyll fjalimin, në të kundërt e vazhdoj”, tha Rama. /tesheshi.com/