Auto Dak
Auto Dak

Afrim Gashi i BESA-s: Mos na krahasoni me partitë e tjera, ja ç`na dallon prej tyre

Lëvizja BESA mëton të jetë një risi në politikën maqedonase dhe jo vetëm, ngase ajo, me formatin, stilin, frymën, përbën një risi dhe në rrafshin e politikës mbarëkombëtare shqiptare. Pa një lider, më saktë pa kultin e individit, por me frymën e grupi, me personazhe pa cene në jetën private dhe me kontribute të njohura publike, udhëheqësit e saj po ofrojnë tek masa e njerëzve një garanci, një lloj “BESE”, jo dhe aq shqiptare nëse i referohesh ndjenjës së zhgënjimit që kanë instaluar partitë kryesore të shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm. Një prononcim i Afrim Gashit, një prej emrave kryesore të BESA-s, e tregon më së miri këtë….

 

Bisedoi: Mensur Krasniqi

Afrim Gashi, një emër i njohur në sferën e gazetarisë. Tani anëtar i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA. Si ndodhi që të futesh në politikë?

Kur e shihni se rrënohet çdo gjë rreth jush, çdo vlerë, çdo kriter pozitiv, kur e mira bëhet naivitet dhe e keqja avancim në shoqëri, kur e vërteta shpallet mashtrim e gënjeshtra e vërtetë, kur rrënohet sistemi arsimor e kur kultura e gjuha ju nëpërkëmbet, kur shihni tufa njerëzish duke i lëshuar vatrat e tyre për shkak të ekzistencës materiale e kur e shihni se si zhduket çdo shpresë për të ardhmen, atëherë si mund të qëndroni anash e të shikoni se si e gjithë kjo ju kalon para syve si një film horror e ju mbeteni vetëm spektatorë.

Për shkak të gjitha këtyre dukurive, për shkak të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë morale e intelektuale që kam ndaj kombit dhe njerëzve, gjithë kjo më ka detyruar të hyjë në politikë, pasi jam bindur se këto gjëra nuk rregullohen ndryshe. Mendoj se jemi në një kohë kur nuk guxojmë të heshtim para një katrahure të këtillë, sepse edhe heshtja është tifozeri për krimin. Andaj ai që mendon kështu, patjetër duhet ta bëjë hapin e parë. Disa herë në shkrimet dhe prononcimet e mia publike e kam thënë këtë dhe pas një kohe u gjenda para një situate kur duhej të veproja, sepse ndryshe do ndjehesha si një hipokrit.

Ajo çka e bën të dalluarit e të qënit gazetar dhe politikan është si parim se gazetari gjithnjë sulmon që të nxjerr në pah të vërtetën, ndërsa politikani sulmohet, dhe arsyeton të pavërtetën. Do e keni të vështirë të luani rolin e politikanit që “nxirret”?

Në fillim nuk jam dakord me këtë konstatim. Në secilin profesion duhet të synohet e drejta dhe e vërteta. Unë në politikë jam për shkak të vërtetës dhe të drejtës. Po të isha i sigurt se nëpërmjet gazetarisë do të arrija ta ndryshoj këtë gjendje, do të qëndroja aty ku isha. Gazetari duhet ta shpalosë atë që ka ndodhur, por ai nuk i bën gjërat. Ai, nëse është i drejtë dhe e synon të vërtetën, do ta shpalosë në mediumin e tij atë që ka ndodh realisht, por kjo nuk e ndryshon realitetin.

Për ta ndryshuar realitetin duhet kaluar aty ku merren vendimet dhe bëhen punët. Sikur të mos besoja se futja ime në politikë do t’i shërbejë të vërtetës dhe drejtësisë, nuk do të futesha fare në të. Jam këtu që jam sepse jam i bindur se jam duke e vazhduar rrugën të cilën e eci qëkur jam i vetëdijshëm për veprimet e mia. Gjithnjë jam munduar për të mirën e të tjerëve para të mirës sime dhe do të jem në shërbim të kësaj kauze deri në frymën e fundit. Sepse ndryshe i bie ta konsumoj kot ajrin e kësaj bote.

Thuhet se partitë shqiptare – dhe kjo vlen për të gjitha hapësirat – ngjajnë si dy pika uji: fjalë të mëdha për ideale të mëdhaja, por që nuk përputhen kurrë me realitetin, sidomos kur u jepet pushtet. Si mundet që ju të BESA-s ta vërtetoni të kundërtën?

Unë dhe njerëzit që janë rreshtuar në Lëvizjen BESA janë të gjithë njerëz me emër dhe mbiemër dhe me të kaluar të tyre që dihet botërisht, andaj nuk pranojmë të na krahasoni me asnjë subjekt tjetër politik, qoftë në Maqedoni apo në trojet tjera shqiptare. Jo pse ne pretendojmë se jemi të veçantë, por sepse jemi një gjeneratë tjetër, e ngritur në një kontekts krejt tjetër kohor dhe hapësinor, andaj edhe krahasimet e tilla nuk qëndrojnë.

Nga ana tjetër, ne nuk kemi thënë asnjë fjalë të madhe, të cilës nuk mund t’i qëndrojmë përballë dhe në të cilën nuk besojmë se mund ta arrijmë. Madje,  e keni vërejtur se atë që e themi edhe e argumentojmë se si mund të arrihet. Ndërsa sa i përket punës së pushtetit, do të duhet të vijë edhe ajo kohë që të dëshmohet se nuk do të jetë ashtu. Garancia ynë se Lëvizja BESA në pushtet nuk do të jetë si subjektet paraprake janë vetë njerëzit që janë inkuadruar në këtë subjekt dhe mekanizmat e vetëkontrollit që i kemi krijuar.

Në BESA kanë ardhur njerëz të realizuar edhe si karriera edhe materialisht, andaj nuk besoj se dikush do ta ketë guximin të ndërmarrë hapa të tillë. Por, nëse eventualisht ndodhë një gjë e tillë, të parët që do ta luftojnë atë do të jemi pikërisht ne të BESA-s. Pra, ju siguroj se ne mund të kemi shumë të meta, ndoshta pse jemi të rinj e pa përvojë, por të gënjejmë e të vjedhim nuk dimë dhe nuk duam as të mësohemi. Për këtë jam thellë i bindur.

Ju keni sjellë një risi në politikë, siç është mospasja e një lideri famoz – një lloj amerikanizmi  ky në politikë – por ç`risi të tjera ofroni për të përmbushur një kuadër moral bindës karshi elektoratit?

Jam thellë i bindur se Lëvizja BESA do të sjell shumë të mira në shoqërinë shqiptare edhe pa qenë pjesë e pushtetit. Të qenit subjekt pa lider, siç thoni thoni ju, të fuqishëm, por me një ekip i cili lidhet me idenë e jo për njeriun, është vetëm një nga risitë. Një defekt tjetër i politikës shqiptare ka qenë edhe hyrja në politikë pa vizion dhe qëllim të qartë dhe i pa menduar mirë, andaj ne nuk kemi dashur ta përsërisim këtë gabim duke qenë të bindur se nëse nuk përcaktohet rruga dhe vizioni që në fillim, ndodh që nga stuhia e parë politike të ndryshohet kursi dhe rrugëtimi i subjektit.

Prandaj, ne e kemi menduar gjerë e gjatë këtë punë, e kemi shkruar, analizuar dhe shqyrtuar platformën politike një kohë të gjatë dhe me njerëz ekspertë të fushave të ndryshme derisa jemi siguruar se cila është rruga dhe cilat janë mjetet për të arritur aty. Një risi tjetër që lidhet edhe me pyetjen paraprake është faktori njeri. Pra, nëse ke qëllim të mirë, vizion të qartë dhe platformë të mirë politike, kjo nuk është garanci se punët do të rrjedhin ashtu siç janë menduar. Një nga faktorët kryesorë të suksesit në politikë janë njerëzit, andaj ne në Lëvizjen BESA u kemi dhënë një rëndësi shumë të madhe njerëzve të cilët inkuadrohen te ne.

Në çdo fshat, lagje ose qytet kemi kërkuar njerëzit më të ditur, më profesionistë të fushave përkatëse dhe më me nder që i kemi dhe qasja jonë e parë ka qenë që ata të jenë të parët që hynë tek BESA dhe për hir të vërtetës pas një viti angazhim të palodhshëm të të gjitha strukturave të BESA-s, sot jemi më se të kënaqur që kemi arritur të krijojmë një organizatë të atillë politike që asnjë subjekt i deritanishëm nuk e ka pasur. Madje, këtë na e pranojnë edhe oponentët tanë politikë dhe për ne kjo është një arritje e madhe, sepse kemi vendosur themele shumë të shëndosha që të ngrihet një subjekt i fuqishëm politik shqiptarë, që uroj të ketë jetë të gjatë dhe të begatë.

Këtu mund të përmendi edhe shumë risi tjera, si organizimi i protestave, aksionet e të rinjve, futja e ironisë dhe sarkazmit në politikë, ndërtimi i ambientit pozitiv dhe jo hakmarrës, ndërsa kundërshtimin politik e kemi zhvendos nga rrafshi personal në atë të veprimeve politike, pastaj hapësirë shumë më të madhe për veprim u kemi dhënë të rinjve dhe grave e kështu me radhë.

Militantizmi partiak sot, në formën që ka marrë, duket sikur nuk mban gjallë partinë, por që e rrjep atë. Mjaft të thuhet se kur partia e tyre vjen në pushtet, ata janë një grykësi për vende pune sa që i bëjnë gropën më pas partisë. Për ç`lloj militantizmi është BESA?

Te Lëvizja BESA mbisundon militantizëm ideor dhe të vlerave. Të gjithë njerëzit që deri sot janë inkuadruar në Lëvizjen tonë kanë hyrë pa asnjë kusht prej anës së tyre dhe pa asnjë premtim nga ne nismëtarët dhe kështu jemi bërë bashkudhëtarë të një rruge e cila do të na sjellë të mira si shoqëri e pastaj edhe individualisht, pse jo. Te ne ekziston parimi: “Pa u bërë mirë për të gjithë s’mund të bëhet mirë edhe për mua”. Pra, ky koncept politik nuk lidhet me interesa meskine për pasurim ose punësim individual, por për një rrugëtim i cili do të sjellë një sistem të ri vlerash, ku e mira, drejtësia e profesionalizmi vlerësohen, ndërsa mashtrimi, krimi e korrupsioni dënohen dhe luftohen. Ne jemi të bindur se s’mund të bëhet mirë nëse nuk ndryshohet ky sistem i vlerave, andaj edhe aty e kemi fokusin e angazhimit tonë.

Rinia, një pasuri e madhe për një forcë politike. A keni një strategji për ta patur atë në krah në aksionin tuaj politik, sigurisht duke i përçuar frymëzimin e duhur?

Ky është një nga synimet tona dhe në këtë synim mendoj se ia kemi dalë që tani, pra vetëm pas funksionimit njëvjeçar, sepse strukturat e Lëvizjes BESA në një përqindje të madhe janë njerëz të rinj. Madje, të tjerët na e marrin këtë si hendikep, duke na akuzuar si shumë të rinj, por njëkohësisht duke e marrë si të qenë faktin se kur thua Lëvizja BESA, asociacioni i parë është një i ri, i shkolluar, i ndershëm e profesionist në punën e tij. Nëse pas një viti punë ne kemi arritur ta krijojmë këtë identitet, unë jam i bindur se jemi në rrugë të mbarë. Kështu betejën me të ardhmen tashmë e kemi fituar dhe e vetmja gjë që na ka mbetur është ta bëjmë betejën për të sotmen dhe pikërisht këtë po e bëjmë.

Ekziston një dilemë mes njerëzve sa i përket lidërve politikë, dështimit të tyre: nëse nuk duan apo nuk dijnë. Dhe, duke iu referuar modelit të deritanishëm të lidërve shqiptare me akses në qeverisje, nuk kanë ditur apo nuk kanë dashur?

Këto dy kushte që përmendni ju lidhur me dilemën e suksesshmërisë në politikë, edhe pse i keni vendosur përballë njëri-tjetrit, unë mendoj se janë kushte që nuk realizohen njëri pa tjetrin. Jam i bindur se për të bërë një punë të suksesshme është e domosdoshme edhe të dish edhe të duash dhe vetëm njëra nga këto nuk mjafton. E kaluara e jonë politike shpesh na ka ballafaquar me liderë që herë nuk kanë dashur e më shpesh nuk kanë ditur, por ç’është më e keqja se më së shpeshti në të kaluarën tonë politike na ka ndodhur që liderët tanë as nuk dashur as nuk kanë ditur.

Si e komentoni deklaratën e kryetarit të Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Memedit, i cili tani më ka mbyllur dyert e bashkëpunimit për Lëvizjen BESA, ndërsa nga ana tjetër Lëvizja për Reforma në PDSH, partnere e RDK-së në Aleancën për shqiptarët deklarohen që janë të gatshëm për bashkëpunim me Lëvizjen BESA? Kjo është një lojë e përbashkët politike e Selës dhe Memedit me qëllime të caktuara, apo janë hutuar? Përndryshe si është e mundur të dalësh në zgjedhje me platformë të përbashkët, ndërsa qëndrimet t’i kenë diametralisht të kundërta?   

Keni plotësisht të drejtë që shtroni këto dilema rreth veprimeve të liderëve të partive tjera opozitare dhe besoni se me dilema të këtilla po përballemi edhe ne. Vërtet është rëndë të mbash frymën e bashkëpunimit me njerëz që publikisht marrin veprime të këtilla, të cilat e minojnë bashkëpunimin opozitar, por edhe shpresën te shqiptarët e Maqedonisë, e cila është në pritje të ndryshimit. Ajo që ne kemi vendosur të bëjmë është që të mos ndalemi në asnjë moment të mbajmë hapur derën e bashkëpunimit dhe jo vetëm me subjektet që ju përmendët, sepse opozitarizmi në Maqedoni nuk përfundon këtu, por me të gjitha subjektet e tjera, qoftë politike, qoftë të sektorit civil dhe qofshin ata edhe individë që kanë ndikim në jetën publike, si akademikë, profesorë, shkrimtarë, publicistë, artistë, sportistë e të tjerë.

Jam shumë optimist në këtë drejtim, aq më shumë që të premten u themelua edhe një këshill mbipartiak, i cili nuk e di si do të quhet, por e di se nuk do të udhëhiqet nga asnjë parti politike, ndërsa ai këshill do të na ftojë të gjithë neve të unifikohemi rreth një platforme dhe të gjejmë mekanizmin më të mirë që të dalim me një listë zgjedhore të përbashkët opozitare, e cila padyshim do të sillte ndryshim te shqiptarët. Ne si Lëvizje BESA do ta ndihmojmë çdo proces i cili ka qëllim unifikimin, andaj tashmë kemi hequr dorë nga aspiratat tona që i kemi si Lëvizje sa u përket këtyre zgjedhjeve, pra kemi vendosur gjithçka në funksion të unifikimit sa më të madh real opozitar në Maqedoni, që kështu të vijmë te ndryshimi i madh politik shqiptar në Maqedoni. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts