Adnan Januzaj pranë ribashkimit me David Moyes-in te Sandërlendi

Me t’u emëruar si trajneri i ri i Sandërlendit, David Moyes ka kërkuar si blerje të parë një ish-lojtar të tij te Mançester Junajtedi. Adnan Januzaj raportohet të jetë në listën e lojtarëve të Mançester Junajtedit që mund të huazohen, kështu që bashkimi i tij me ish-trajnerin nuk duket aspak i pamundur.

Moyes do t’i jepte mundësi 21-vjeçarit tre vite më parë të luante një ndeshje të plotë me Mançester Junajtedin, besim të cilin Januzaj ia shpërbleu me dy golat e tij.

Januzaj do të aktivizohej në 32 takime në sezonin 2013-2014, gjithnjë me trajner David Moyes-in, e do të çmohej asokohe si një prej të rinjve më premtues në kampionatin anglez.

Pasi Mançesteri filloi të marrë tatëpjetën me Moyes-in, e njëjta gjë ngjau dhe me lojtarin premtues. Januzaj ka patur prej kohësh një shkëlqim në venitje. Sezonin e shkuar do të huazohej te Borusia e Dortmundit, ku do të aktivizohej vetëm në gjashtë takime e do të kritikohej fort për mungesën e dëshirës në lojë.

Ai do të kthehej te Mançester Junatedi në janar, por pak e pa fushën e gjelbër. Me humbjen e vendit në formacion, e me paraqitjet e dobëta, Januzaj nuk u grumbullua dhe me kombëtaren belge në Europian.

Januzaj shpreson të ketë një fillim të ri nëse bashkohet përsëri me Moyes-in te Sandërlendi.

Ai është i njohur për sportdashësit shqiptarë për refuzimin që i bëri ftesës për t’u bashkuar me përfaqësuesen kuqezi në momentin që nisi të shkëlqente te Mançester Junajtedi. /tesheshi.com/