728 x 90 Leaderboard

8 vjet nga shpallja ndërkombëtare e ligjshmërisë së Pavarasisë së Kosovës: ndryshe e lexon pushteti e ndryshe opozita

Nga Blendi Gashi

Pavarësisht mbajtjes së disa tryezave javëve të fundit për arritjen e një konsensusi për të ashtuquajturat “temat e mëdha”, politika kosovare vazhdon të jetë e përçarë.

Këtë e dëshmojnë edhe deklarimet e bëra me rastin e 8-vjetorit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e Deklaratës së pavarësisë së Kosovës, ku pushtetarët flasin për të arritura pas këtij vendimi, ndërsa opozitarët për frikën e kompromiseve të reja me Serbinë në dëm të shtetit.

Presidenti Hashim Thaçi, vendimin e GJND-së e vlerëson ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare. Sipas tij, ky vendim i parapriu shumë proceseve politike, në të cilat ishim të bashkuar, duke ia siguruar Kosovës ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare.

“Edhe sot, na presin shumë sfida, e për tejkalimin e tyre duhet të japim kontribut të gjithë, për t’i siguruar fitoret e radhës së shtetit tonë, anëtarësimet në BE, NATO dhe OKB”, shkruan Thaçi në Facebook.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se tetë vite më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legalitet të drejtës sonë për shtet.

“GjND, në opinionin e vet, vlerësoi se përpjekjet tona historike ishin të drejta. Ky vendim i rëndësishëm hapi rrugë për të ndërtuar Kosovën shtet modern që aspiron integrimet euro-atlantike. Ne kemi ende punë për të bërë, por progresi nuk do të ndalet. Me dhënien e dritës së gjelbër për liberalizim të vizave vuloset e ardhmja jonë në familjen e shteteve paqedashëse dhe demokratike. Kosova në tërësinë e saj të plotë territoriale është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Por për dallim nga dy të parët, opozitari Albin Kurti, thotë se pas tetë vitesh nga vendimi i GJND-së pushtetarët po flasin për kompromise të reja të dhimbshme ndaj Serbisë.

“Kush ka mundur ta paramendojë që 8 vjet pas atij të vendimi te GjND-së, do të kemi President e Qeveri që vrapojnë pas Presidentit të Serbisë, e që kërkojnë pajtim me Serbinë e papenduar dhe pa e paditur atë për krimet e luftës e për gjenocid? “, shkruan Kurti.
Ai më tej e sheh më progresiv vendimin e GJND-së se veprimet e mëvonshme të qeverive.

“Natyra performative e aktit të shpalljes, që karakterizon universalisht çdo akt shpallës, nuk i mungoi as shpalljes së 17 shkurtit; madje, nga perspektiva e ligjit ndërkombëtar, e shpëtoi atë̈ nga të konsideruarit si një akt i jashtëligjshëm. Por çfarë ka ndodhur më pas? Qeveria Thaçi e asaj kohe, e më vonë qeveria pasardhëse e deri te kjo Haradinaj, e kanëharruar pikërisht këtë̈ moment përurues me potencial emancipues të Deklaratës së Pavarësisë̈. Duke pranuar bisedime të vazhdueshme me Serbinë̈ për çështje të brendshme të Kosovës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanëpranuar të ulen në tryezë bisedimesh me dy entitete (Serbia në njërën anë, BE-ja në anën tjetër) të cilat ose janë̈armiqësisht kundër vetë qëllimit themelor të asaj shpalljeje (rasti i Serbisë̈) ose janë̈ neutral karshi të njëjtës (rasti i BE-së).  Leximi që GjND-ja i bëri Deklaratës së Pavarësisë̈ doli të jetë më progresiv sesa qëndrimet e veprimet e qeveritarëve të Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaçi. E, regresioni i këtij po vazhdon me shpejtësinë e njëjtë tëvrapimit që ai bën pas Serbisë e Vuçiqit”, shkruan Kurti.

Kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 korrik 2010 vlerësoi se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesë për deklarata të pavarësisë së Kosovës.

 “Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, deklaroi atë kohë presidenti i GJND-së në Hagë, Hisashi Ovada

Ai  theksoi se Rezoluta 1244 po ashtu nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia kishte dërguar në këtë organ të drejtësisë, kundër shpalljes  së pavarësisë së Kosovës. /tesheshi.com/

 

Related posts