728 x 90 Leaderboard

79 vjet nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste: kujtesë në 5 foto të rralla

Sot shënohen 79 vjet nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Pesë fotot e zgjedhura për të përkujtuar këtë ngjarje historike dëshmojnë pesë moment kyçe nga ky moment historik.

Projekti për pushtimin e Shqipërisë ishte fillimisht një iniciativë personale e ministrit të Jashtëm të Italisë, kontit Galeazzo Ciano, njëherësh dhe dhëndër i Benito Musolinit. Në maj 1938, një muaj pasi kishte qenë dëshmitar në dasmën e mbretit Zog, Ciano i paraqiti Musolinit një projekt të detajuar për pushtimin e Shqipërisë.

Planet italiane për pushtimin e Shqipërisë u mësuan nga mbreti Zog në mes të shkurtit të vitit 1939. Ai thirri në Pallatin Mbretëror kryeministrin, Koço Kotten, ministrin e Brendshëm, Musa Jukën, si dhe krerët më të lartë ushtarakë në vend për të hartuar një plan masash për të parandaluar, por edhe për t’u përgatitur për t’i rezistuar pushtimit. Në të vërtetë, asnjë nga këto masa nuk u zbatua. Ushtria shqiptare, e cila ishte në duart e instruktorëve ushtarakë italianë, ishte e paralizuar.

Në planin diplomatik, mbreti Zog u përqendrua në zbutjen e Italisë, por edhe angazhoi diplomatët shqiptarë për të matur pulsin e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, ShBA-së, Jugosllavisë etj. Nga të gjitha këto kontakte u bë e qartë se situata ndërkombëtare fliste kundër Shqipërisë. Ndërsa Mbreti Zog dhe qeveria përpiqej të bënte ç’ishte e mundur për të shmangur pushtimin, populli në qytetet kryesore të vendit organizoi demonstrata spontane, në të cilat kërkoheshin armë për të luftuar kundër pushtuesit.

Në mëngjesin e 7 prillit 1939, ushtria italiane zbarkoi në portet kryesore të Shqipërisë: Shëngjin, Durrës, Vlorë, Sarandë. Ajo hasi rezistencë vetëm në portin e Durrësit, ku forcat e majorit Abaz Kupi e detyruan ushtrinë italiane të tërhiqej disa herë. Në luftime u vra kapteri i marinës, Mujo Ulqinaku, dhe disa të tjerë. Mbreti Zog dhe qeveria e tij u larguan nga vendi.

Pas kësaj, të pashqetësuar, pushtuesit italianë hynë në brendësi të vendit. Një “Asamble Kombëtare”, e mbledhur me të shpejtë, shpalli bashkimin personal mes Shqipërisë dhe Italisë, nën kurorën e mbretit Viktor Emanueli III, dhe abrogoi Kushtetutën e vitit 1928.

Demonstratë e zhvilluar më 5 prill 1939, në Tiranë. Populli kërkonte armë për të luftuar kundër pushtimit.

 

Bari, prill 1939. Ushtarët italianë që presin të imbarkohen në anije për t’u nisur në Shqipëri

 

Durrës, 7 prill 1939. Hyrja e ushtarëve italianë në qytet

 

Shenjat e Liktorit në flamurin kombëtar shqiptar pas pushtimit fashist

 

Shkodër, viti 1939. Pamje nga rekrutimi dhe parakalimi i fashistëve të rinj (balilave) në Shkodër

 

 

Related posts