50 vjet nga rezoluta 242 e OKB-së: përse nuk ka ende zgjidhje përmes krijimit të dy shteteve Palestinë-Izrael?

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk u zbatua asnjëherë nga Izraeli e sot e kësaj dite, izraelitët kanë nën kontroll 100 për qind të territorit palestinez, çka e bën të pamundur zgjidhjen përmes dy shteteve.

Përgjatë 50 vjetëve të fundit, rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka ndihmuar të përmbajë pushtimin e Palestinës nga Izraeli, thonë analistët. Ghada Karmi, autore britaniko-palestineze dhe kërkuese në universitetin e studimeve arabe dhe islamike në universitetin Exeter, thotë se çështja qendrore është se Izraeli “nuk ka pasur kurrë synim” të zbatojë rezolutën 242, miratuar në 22 nëntor 1967.

“Nga kolonizimi i vazhdueshëm i zonave palestineze, mund të shohësh se nuk ka pasur asnjë përpjekje nga ana e Izraelit për të zbatuar ndonjë pjesë të rezolutës”, thotë ajo.

Rezoluta 242

Pas luftës arabo-izraelite të vitit 1967, kjo rezolutë bënte thirrje ndaj Izraelit për t’u tërhequr nga territoret që kishte pushtuar në këmbim të paqes jetëgjatë me fqinjët e tij.

Izraeli mundi ushtritë e Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë, me rezultatin e “Naksës”, apo zmbrapjes, në qershor 1967. Në atë vit, Izraeli dëboi rreth 430 mijë palestinezë nga shtëpitë e tyre. Naksa u perceptua si një zgjatim i Nakbës së vitit 1948, apo katastrfës, që shoqëroi themelimin e shtetit izraelit.

Brenda gjashtë ditëve, Izraeli mori pjesën e mbetur të Palestinës historike, përfshirë Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Gazën, sikundër edhe Lartësitë Golan në Siri dhe gadishullin e Sinait në Egjipt. Më pas, atë vit Izraeli aneksoi Jeruzalemin Lindor.

Përveç gadishullit të Sinait, këto territore mbeten të pushtuara edhe sot e kësaj dite.

Nën sponsorizimin e ambasadorit britanik në OKB në atë kohë, rezoluta 242 synonte të zbatonte “paqe të drejtë dhe afatgjatë në rajonin e Lindjes së Mesme”.

Preambula e rezolutës ndalonte shprehimisht vijimin e kontrollit izraelit mbi territorin që u pushtua me forcë gjatë luftës, duke cituar “papranueshmërinë e marrjes së territoreve me luftë dhe nevojën për një paqe të drejtë e afatgjatë ku çdo shtet në zonë të mund të jetojë në siguri”.

Rezoluta apelonte Izraelin të tërhiqte forcat e tij nga territoret që kishte pushtuar gjatë luftës 6-ditore, dhe apelonte po ashtu palët e tjera të njihnin sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.

Sidoqoftë, rezoluta u përdor nga Izraeli për të vijuar pushtimin e të gjitha territoreve, pasi në të bëhej thirrje po ashtu “për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë për problemin e refugjatëve” ndërsa nuk arriti të adresonte të drejtën e popullit palestinez për shtetësi, vënë në dukje analistët.

Si rezultat, Organizata për Çlirimin e Palestinës, që në atë kohë perceptohej nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga OKB, si përfaqësuese e popullit palestinez, refuzoi të njihte rezolutën deri dy dekada më vonë.

Rezoluta më pas u përdor si bazë për negociatat e paqes arabo-izraelite dhe nocionin e krijimit të zgjidhjes përmes krijimit të dy shteteve në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të vitit 1967.

Por, analistët, si avokatja dhe profesoresha e universitetit Xhorxhtaun, Noura Erekat, shkruajnë se Izraeli e ka përdorur rezolutën 242 për të justifikuar pushtimin e tokës palestineze.

“Kur Izraeli shpalli themelimin në maj 1948, ai e mohoi se edhe palestinezët arabë kishin të njëjtën të drejtë për shtetësi, ashtu si dhe hebrenjtë, për shkak se vendet arabe e kishin hedhur poshtë planin e ndarjes”, shkruan Erekat, duke iu referuar rezolutës 181 të OKB-së.

Gjuha finale e rezolutës 242 nuk korrigjoi dështimin për të njohur vetë-vendosje për palestinezët, duke iu referuar atyre thjesht si “problem i refugjatëve”, shton ajo.

“Ngjarjet që pasuan luftën e vitit 1967, Izraeli argumentoi se duke pasur parasysh mungesën e sovranitetit në Bregun Perëndimor dhe rripin e Gazës, territoret nuk ishin as të pushtuara dhe as të papushtuara”, thotë Erekat , duke vënë në dukje se Izraeli e përdori këtë argument për “të grabitur në vijimësi tokën palestineze pa përfshirë palestinezët e kësaj toke”.

Edhe pse rezoluta 242 kualifikon “territoret e pushtuara” si zona të pushtuara apo të arritura përmes luftës, analistët thonë se Izraeli e përdori zbehtësinë e gjuhës për të përfituar vetë.

“Izraeli dhe aleatët e tij thonë se nuk ka asgjë specifike – e nuk ka vërtet territore specifike të përmendura – që do të thotë se ata mund të kenë ‘ktë apo atë’”, thotë Karmi.

“Gjithë ky argument i vagullt është artificial, për të hedhur hi syve. Problemi me rezolutën është se nuk është zbatuar kurrë. Kjo është gjëja më serioze nga të gjitha në lidhje me këtë rezolutë”.

Mbajtja e pushtimit

Mouin Rabbani, nga Instituti për Studime Palestineze me seli në Uashington thotë se konteksti politik i kohës është forca e nëndheshme për moszbatimin e rezolutës.

“Fitorja e Izraelit e vitit 1967 u konsiderua gjerësisht si një fitore amerikane po aq shumë sa edhe izraelite”, thotë Rabbani për al Jazeera-n. “Kjo ndodhi në kulmin e Luftës së Ftohtë”.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB në atë kohë luajti një rol domethënës në përpjekjen për ta drejtuar rezolutën në favor të Izraelit”, shton ai.

“Izraeli nuk kishte absolutisht asnjë synim për t’u larguar nga pushtimet, dhe asnjëherë nuk u vendos nën presionin e duhur politik apo ushtarak që do ta bënte më të madhe koston e qëndrimit në territoret e pushtuara sesa përfitimet e largimit”.

Rëndësia e rezolutës 242 në fakt u njoh shumë më vonë, pasi zhvillimet politike krijuan bazën e një konsensusi ndërkombëtar për zgjidhjen përmes dy shteteve – një nocion që nisi të dalë mes liderëve palestinezë në vitet 1970.

“Sot, ne gjithmonë flasim për konfliktin palestinezo-izraelit- që nuk ekzistonte realisht në atë kohë”, thotë ai. “Ishte konflikti arabo-izraelit dhe çështja e Palestinës”.

Shpronësimi i palestinezëve

Fakti që shtetësisë palestineze nuk iu dha ndonjë domethënie e madhe në rezolutë nuk është rezultat i ndonjë anësimi të qëllimshëm: më shumë se kjo, ndodhi për shkak të lenteve politike me të cilat shihej Palestina në atë kohë.

Pavarësisht faktit që rezoluta 242 hapi rrugën për negociata, nuk është tani “krejtësisht e parëndësishme”, thotë Karmi.

“Çështja bazike për zgjidhjen e konfliktit është rikthyer. Kjo është çështja bazike – këta njerëz, palestinezët janë shpronësuar”, thotë ajo.

Por, edhe pse me shumë bisedime paqeje të negociuara, nuk ka pasur progres real drejt zbatimit të zgjidhjes përmes krijimit të dy shteteve; ndërsa diskutimet kanë hyrë në ngërç, vendbanimet izraelite vetëm zgjerohen.

Projekti i shtimit të vendbanimeve, që është në shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit ndërkombëtar, ka sjellë rreth 600 mijë izraelitë në dhjetëra vendbanime përgjatë gjithë Bregut Perëndimor. Autoritetet izraelite shpronësojnë tokën palestineze dhe ndërmarrin shembjen e shtëpive rregullisht, në pjesën më të madhe për të zgjeruar vendbanimet, apo me raste për të ndërtuar të reja.

Pikat e kontrollit dhe muri ndarës me Izraelin kanë përkeqësuar edhe më shumë lirinë e lëvizjes për palestinezët. “Izraeli sot është në kontroll të plotë të territoreve palestineze – jo vetëm në Bregun Perëndimor, por dhe në Gaza”, thonë analistët.

Rripi i Gazës, strehë për gati 2 milionë njerëz, ka qenë në rrethim për më shumë se një dekadë. Në vitin 2007, pas fitores elektorale të Hamasit dhe deklarimin të tij se kishte marrë kontrollin e territorit, Izraeli vendosi një bllokadë strikte tokësore, ajrore dhe detare.

“Fakti i kontrollit total nga Izraeli i 100 për qind të Palestinës është saktësisht dhe thelbësisht arsyeja përse nuk mund të kemi zgjidhje të konfliktit përmes krijimit të dy shteteve”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/