Pothuajse një çerek milion çekë protestuan të shtunën kundër kryeministrit dhe presidentit, duke i akuzuar ata për minimin e demokracisë në kombin të konsideruar “thellësisht të ndarë”, që kremton të dielën të 30-vjetorin e Revolucionit të Mëndafshtë, me protagonist ish-presidentin Vaclav Havel.
Demonstruesit nga i gjithë vendi, me një popullsi prej 10.7 milion, u mblodhën në Parkun Letna, duke tundur flamuj çekë dhe evropianë në vendin e protestave masive në nëntor 1989, kur komunizmi ra në mënyrë paqësore në ish-Çekosllovakinë menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit.
Shumë bërtisnin “Ne jemi këtu”, siç bënë 30 vjet më parë gjatë protestave që sollën në pushtet Vaclav Havelin, atë kohë simbol disidence.
Organizatorët dëshirojnë që kryeministri Andrei Babis të ndërpresë lidhjet me kompaninë e tij Agrofert, duke pretenduar se ai është në konflikt interesi ose do të japë dorëheqjen deri në fund të vitit.
“Lufta për liri dhe demokraci nuk ndalet kurrë,” vuri në dukje Benjamin Roll, nënkryetar i “Një milion momente për demokracinë”, i cili organizoi protestën masive.
Folësit, përfshirë ish-disidentët, të cilët gjithashtu folën në mitingjet e vitit 1989, theksuan që Babis dhe Presidenti Milos Zeman nuk duhet të jenë aty ku janë zyrtarisht, në krye të shtetit.
Për ironi, Babis ka qenë një ish-komunist, edhe me lidhje me shërbimin sekret. E tani, ai dhe partia e tij populiste ANO, thuhet se po shkaktojnë përçarje të mëdha.
Ndërsa presidenti Zeman, i cili mban marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe Kinën, i përshkroi protestat si jodemokratike.
Në një intervistë të fundit në portalin parlamentar Listy, ai theksoi se 1.5 milion njerëz votuan në favor të Babis dhe 2.85 milion për të, kështu që protesta në Letna është e vogël në krahasim me votat e marra. /tesheshi.com/