28 nëntor ’97, 20 vjet nga zyrtarizimi i UÇK-së: ja si e kujton Rexhep Selimi, atëherë me maskë

Si 24-vjeçar kreu një detyrë ushtarake dhe përherë emri i tij do mbetet në histori. Me fytyrën e maskuar më 28 Nëntor të vitit 1997 në Llaushë të Skenderajt, saktësisht 20 vjet më parë, Rexhep Selimi kumtoi lajmin për daljen publike të UÇK-së, ndërsa pranë i qëndronin edhe dy shokët e tij. Mujë Krasniqi (tashmë dëshmor) dhe Daut Haradinajme (tashmë deputet).

Pas dy dekadash, Selimi tashmë pa maskë rrëfen për tesheshi.com momentin e daljes së parë publike të UÇK-së, pra tregon si erdhi deri te ky moment, ç’emocione kishte, sa është çuar në vend qëllimi i UÇK-së e çështje tjera…

Intervistoi: Blendi Gashi

Janë bërë 20 vjet nga dalja publike e UÇK-së, ku ju ishit një nga protagonistët, si e kujtoni atë kohë?

Dalja publike e UÇK-së, më shumë ka qenë një detyrë ushtarake sesa politike në atë kohë, por impaktin e ka pasur edhe politik, edhe diplomatik, edhe mobilizues, edhe luftarak.

Kështu që kjo dalje publike e asaj kohe ka qenë e nevojshme pas gjithë asaj situate që ishte krijuar për UÇK-në, sepse e dinin kush jemi, por të tjerët nga larg nuk e dinin, e nganjëherë e keqinterpretonin prezencën e UÇK-së. Prandaj dalja publike e UÇK-së i shuajti dilemat se kush është UÇK-ja, por edhe dilemat se nuk mund të fitohet liria përveçse me luftë.

Si u vendos që ju së bashku me Dautin e Mujën të dilnit për herë të parë para masës për të zyrtarizuar UÇK-në?  

Momenti kur u vendos që të dalim publikisht në skenë, ishte edhe ditë dhimbjeje sepse ishte vrarë një mësues, dhe është e kuptueshme se nuk ka pasur ndonjë gëzim por veç përkushtim dhe dhimbje, si dhe emocion kur masa ka brohoritur s UÇK.

A e keni shkruar ju letrën që e lexuat më pas? Ç’ndjenjë ishte për ju atë kohë si 24-vjeçar?

Po, e kam shkruar vet letrën edhe pse jemi konsultuar për formën e tekstit edhe me shokët tjerë, por atë letër e kam shkruajtur me laps në një fletë ushtrimoreje A4 dhe madje pas kësaj nuk e di ku ka mbetur letra, por as maska.

Ç’emocione kishit në ato momente kur e lexonit?

Unë më shumë kam emocione, më shumë tani se atëherë, sepse e kam kuptuar si detyrë ushtarake, si një nga punët e përditshme, por më vonë e kam kuptuar se çfarë impakti ka pasur ky veprim ushtarak.

Sot pas 20 vitesh a është arritur qëllimi i UÇK-së apo jo?

Jo nuk është arritur, sepse UÇK-ja ka pasur një platformë, një qëllim; lufta për liri të jetë në çlirimin e trojeve shqiptare si korrigjim i padrejtësive të kombit shqiptar që i janë bërë në vazhdimës. Përderisa kombi shqiptar nuk është komplet i lirë dhe derisa këto troje nuk janë bashkuar, nuk është arritur qëllimi dhe objektivat e UÇK-së,respektivisht nuk është arritur porosia e dëshmorëve.

A pritni një ditë të arrihet ky qëllim?

Ky qëllim një ditë do të ndodhë; Shqipëria do të bashkohet sepse është e drejtë që nuk mund t’ia mohojë askush, pavarësisht rrethanave politike të kohës, Shqipëria e meriton, ka të drejtë, një ditë do të bashkohet, do të jetë komb që do të zhvillohet në një shtet të vetëm.

Sigurisht jeni të vetëdijshëm se me këtë ngjarje emri juaj do mbetet përherë në histori. Ju keni thënë këtë gjë fëmijëve tuaj?

Normalisht fëmijëve ju flas, por ajo që është brengosëse jo vetëm për këtë datë por gjithë historinë e UÇK-së, fëmijët nuk po e gjejnë në librat shkollorë; madje po e dëgjojnë të kundërtën, kështu që pavarësisht se unë mund të jem një protagonist, unë jam një prind i cili do të doja që fëmiju im ta njihte hisotrinë e kombit dhe luftrat e kombit të vet sikur të isha unë apo mos të isha fare.

Pra kjo nuk ka të bëjë diçka personale; fëmijët e shqiptarëve në Kosovë nuk janë duke e gjetur askund ta lexojnë lavdinë e luftës që kanë bërë prindërit e vet, gjyshërit edhe paraardhësit.

Ky sigurisht mbetet një 28 nëntor i veçantë për ju. A mund të na kujtoni si e festonit këtë ditë paralufte?

Normalisht unë jam sikur shumica e familjeve shqiptare në Kosovë ku 28 Nëntorin e kemi pasur festë kombëtare. Unë kam shënuar festa të 28 Nëntorit edhe në shkolla edhe në familje tona edhe me shoqëri, pra 28 Nëntori ka qenë festa më e madhe dhe vazhdon të mbetet e tillë dhe më kulminantja e kombit shqiptar. /tesheshi.com/