reklama juaj ketu

20 ditët e pritjes së Gruevskit, zëra që thonë se duhet degdisur në opozitë

Nga Mensur Krasniqi

Kanë kaluar katër ditë që kur Gruevski rri e pret nga pala shqiptare që t’i afrohet për të bërë të mundur formimin e qeverisë së re. Por siç dihet, kjo e fundit, në një bashkim historik, ka dalë me një platformë të përbashkët e cila e kushtëzon me disa pika koalicionin, ku ndër to veçohet dygjuhësia, ajo që kreu i VMRO-së kurrë nuk do ta dëshironte. Kanë mbetur dhe 16 ditë. Më pas, sipas afateve kushtetuese, mandati për formimin e qeverisë i kalon Zaevit në opozitë, që siç nuhatet, pa një pa dy do i pranonte kushtet shqiptare, mjaft që të vijë në pushtet.

Por në këtë pozicion komod që gjendet politika shqiptare, e cila duhet thënë se ia ka futur “dy këmbët në një këpucë” Gruevskit, kjo falë bashkimit mes tyre, ka zëra që kërkojnë shumë më tepër, që me të mandatuarin as të mos negociohet e as të mos koalicionohet. Pra, t’i vihet përfudimisht vizë e të degdiset në opozitë.

Një gjë të tillë e kërkon kreu i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, Shpëtim Pollozhani, i cili gjatë një prononcimi për tesheshi.com, u shpreh:

“Gruevski i prishi të gjitha urat për komunikim me shqiptarët. Ajo KURË e atij, e përsëritur mijëra herë gjatë fushatës (kurrë nuk do të jetë gjuha shqipe e barabarte me gjuhën e të zgjedhurve) do të bëjë shkrumb e hi çdo parti shqiptare që do të futet në negociata me të. Partitë shqiptare jo që nuk duhet të bëjnë koalicion me Gruevskin, ata nuk duhet as të futen në negociata me të. Ai në këtë gjendje kur punohet për lëkurën e tij edhe mundet të dalë jashtë vetes, të pranojë disa kërkesa të Platformës, por ama shqiptarët duhet ta dijnë se me ç’farë skile kanë punë. Me Gruevskin as negociata pa le më koalicion”, tha Pollozhani.

Më tej, është Osman Kadriu, ekspert juridik, i cili thotë se nuk ka vend sa për negociata e as për koalicione. Sipas tij, në këtë pikë ku gjendet politika maqedonase pas zgjedhjeve, do ishte më mirë krijimi i një qeverie ekspertësh:

“Vlerësoj se zgjidhja më e mirë nëse nuk kemi qeveri është që të zgjidhet një e tillë ekspertësh e cila do të formohet nga parlamenti prej profesionistëve. Por edhe kjo gjë të ndodh do të duhet ndonjë marrëveshje politike. Është me rëndësi që të thuhet se edhe po të zgjidhet qeveri ajo do të duhet zgjidhur me shumicë relative, dhe për shkak të asaj që numri i mandateve të pushtetit dhe opozitës thuajse është i njëjtë do të kemi një parlament me kompetenca të kufizuara, pasi që për të gjitha ato gjëra që duhen dy të tretat e shumicës, kjo gjë nuk mund të sigurohet, që përsëri çon në zgjedhje të reja”, tha Kadriu.

Ndërsa për Ariton Ramën, opinionist politik, shqiptarët nuk duhet ta humbin zogun që u ka ardhur në derë duke e mbajtur lart çmimin e tyre. Sipas tij, është bash koha, momenti dhe vendi i duhur që partitë shqiptare të bashkuar t’i tregojnë dhëmbët ndaj një politike nacionaliste, kaotike dhe degraduese të Gruevskit:

“Partitë në parim janë grup interesi apo strukturë për artikulimin e këkesave të qytetarëve duke u shndërruar në mekanizëm për realizimin e po këtyre interesave. Gjithçka është e qartë Gruevski është i bojkotuar dhe i anashkaluar nga elita politike ndërkombëtare dhe populli me vetëdije racionale politike dhe sociale. Qeverisja e Gruevskit në retrospektivë ka qenë input i prodhimit të krizave dhe kontrollues i diskriminimit etnik ,fetar dhe social, prandaj është koha që unifikimi dhe racionalizimi politik të jetë më i theksuar nga tabori politikë për ta dënuar fashizmin gruevizian politikë në emër te popullit shqiptar. Është koha për reformim të rendit shtetëror në nivelet më të larta ligjore dhe këtë mundësi e kanë partitë shqiptare duke koordinuar qëndrimet e tyre përballë një politike kaotike nacionaliste dhe degraduese prandaj është koha e duhur në vendin e duhur për ti treguar dhëmbët por kjo arrihet duke qenë bashkë”, tha Rama.

Kështu pra, pas bashkimit e daljes me një platformë të përbashkët, partitë shqiptare janë tashmë në provën e madhe disaditore se si do e menaxhojnë pozitën e tyre avantazhuese ndaj palës maqedonase.

Zaev po rri pas dere gati për t’i plotësuar kërkesat. Jo më kot ka marrë dhe mbi 50 mijë vota shqiptare gjatë zgjedhjeve të fundit. /tesheshi.com/