18 vjet nga lufta e Kosovës: 317 persona të ikur prej saj ende trajtohen si refugjatë në Maqedoni

Gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, mijëra familje kaluan në territorin e Maqedonisë si refugjatë. Me mbarimin e konfliktit të armatosur, shumë prej këtyre familjeve u kthyen në vendin e tyre, por kishte edhe nga ata që për shkak të mungesës së dokumenteve ose skepticizmit për të ardhmen e tyre në Kosovë, qëndruan në Maqedoni.

Sot në Maqedoni jetojnë 317 persona që kanë ardhur si refugjatë në vitin 1999 dhe që mund të riatdhesohen. Një pjesë e tyre kanë vendosur të jetojnë në Maqedoni dhe tanimë janë integruar në shoqëri. Shumica i përkasin komunitetit ashkalinj

Zyra në Shkup e Komisariatit të Lartë për refugjatët pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe homologët e tyre në shtetet fqinje, inkurajojnë kthimin e atyre pak familjeve të mbetura si refugjate në Maqedoni.

Ne e quajmë ‘kthim vullnetar’, që njerëzit zgjedhin vetë se cila do të ishte më e mira për ta. Duke folur me ta, ne i zbulojmë dhe përpiqemi t’i ndihmojmë në realizimin e zgjedhjes së bërë. Unë personalisht mendoj se shumë familje që për 18 vite jetojnë këtu, shumë lehtë mund të vazhdojnë të jetojnë këtu, nëse janë në proces, janë rregulluar dhe kanë qasje në të njejtat të drejta si çdo qytetar tjetër”, tha Dag Sigurdson, përfaqësues i komisariatit të lartë për refugjatë të OKB-së në Shkup.

Më problematik janë ata që nuk kanë asnjë mjet identifikimi në Maqedoni dhe as pronë në Kosovë. Megjithatë për nisjen e një jete të re dhe integrimin në shoqëri, UNHCR në bashkëpunim me institucionet publike ofron ndihmë juridike si dhe ndihmë financiare për disa shpenzime të transportit.

Ata që riatdhesohen gjithashtu ndihmohen edhe nga Zyra e Avokatit të popullit në Kosovë.

“Sigurisht që nuk është e lehtë as pë rata që kthehen, por sado kudo, në pajtim me legjistlacionin në fuqi, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, do të japë kontributin e vet, do të monitorojë këto raste dhe do të përcjellë që atyre t’iu njihen të gjitha të drejtat që i garanton kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, u shpreh Mark Kaçinari, këshilltar juridik në zyrën e avokatit të popullit në Kosovë.

 Miradie Hasani – /tesheshi.opm/