“17 Maji” i dhjetorit: ja pakti i “fshehtë” Rama-Basha në Bruksel për pasuesin e Adriatik Llallës

Zbardhet pakti mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës i arritur në Bruksel, me ndërmjetësimin e krerëve të BE-së.

Burime të “lajmshqip”, bënë të ditur se kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani dhe kreu i PPE-së, Joseph Daul kanë konfiguruar një pakt mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Republikës.

Siç mësohet thelbi i këtij pakti është që do të jetë Lulzim Basha ai që do të propozojë emrin e prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa Edi Rama do të propozojë kreun e Prokurorisë Speciale SPAK.

Të dy institucionet duhet të marrin konsensusin e palëve, përpara se të shkohet në votim parlamentar. Nuk ishte e rastësishtme letra e Edi Ramës drejtuar opozitës për të nisur procesin e zgjedhjes së kreut të Prokurorisë.

Ajo ngjan fjalë për fjalë me shkarkimin e Saimir Tahirit vitin e shkuar e cila më pas solli në qeverinë “teknike” me kryeministër Edi Ramën. Siç mësohet, Bashës dhe Ramës i është ofruar një pakt ku BE do të bëjë monitorimin e të gjithë procesit politik deri në vendimin për hapjen e negociatave.

Po ashtu, mësohet se Edi Rama do të marrë në Sofje, si pjesë të delegacionit shqiptar edhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. Plani fillestar është që PD-ja nuk do të pranojë emërimin e një prokurori të përkohshëm, siç është vendosur në ligj dhe ka gjasa të futet në negociata, pas një ndërmjetësimi të nivelit të lartë.

Veç këtu ka një problem. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Sipas qëndrimeve të para, si ish-kryeministri, si Presidenti kërkojnë “pazarin” e tyre për kreun e organit të akuzës dhe jo një negociatë të ngushtë Rama-Basha siç ndodhi më 17 Maj.

Siç mësohet presidenti Meta, ka pasur një takim me prokurorin e Krimeve të rënda Besim Hajdarmataj. Qarqet pranë ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, janë alarmuar shumë nga ky takim, që e  shohin si një shenjë që edhe një institucion shumë i lartë është përfshirë në këtë lojë.

Kreu aktual i LSI-së, Monika Kryemadhi  ka shkuar në një vizitë të posaçme në SHBA, paralelisht me atë të kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili nuk ka marrë me vete asnjë deputet të LSI-së. Siç mësohet, duke shfrytëzuar kanalet e lobimit, LSI ka ngritur në SHBA çështjen e prokurorit të Përgjithshëm.

Në një njoftim zyrtar, LSI thekson se kryetarja Monika Kryemadhi ndodhet në SHBA, ku zhvilloi disa takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, Byroja për Zbatimin e Ligjit dhe Luftën kundër Narkotivëve (INL).

“Znj. Kryemadhi u shprehu autoriteteve Amerikane mbështetjen e plotë te LSI-së për reformën në drejtesi, por ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kjo reformë të zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe paketën e ligjeve të miratuara si dhe ngriti shqetësimin për përpjekjet e mazhorancës për të devijuar reformën, për te mos respektuar kushtetutën e reformuar dhe ligjet dhe veprimet për të kapur drejtësinë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ambasadori amerikan dhe ajo e BE-së në Tiranë kanë kërkuar që menjëherë  të largohet Adriatik Llalla.

“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”, theksohet në deklaratën e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Ashtu edhe si Ambasada Amerikane edhe prezenca e Bashkimit Evropian në Shqipëri thotë se “Ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore”.

“Ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore – siç konfirmohet nga EURALIUS dhe OPDAT në opinionin e tyre në Kuvend. Ne e ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë të ligjit”, thuhet në deklaratën e e prezencës së Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Pas ndërkombëtarëve, sërish Edi Rama ka ftuar rivalin e tij në dialog:  “LB mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë, siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën”- shkruan Rama në Facebook.

Sipas gjasave,  Basha nuk do të pranojë “pazarin” për Kryeprokurorin e përkohshëm, por do të vendosë kushte për Kryeprokurorin e përhershëm, proces që pritet të nisë në javën në vazhdim. /tesheshi.com/