16 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit: si është dënuar të mos zbatohet

Mensur Krasniqi

Si sot para 16 vitesh u nënshkrua marrëveshja e Ohrit, me të cilin iu dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni. Nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i paraprinë një varg takimesh dhe bisedimesh për paqe të politikanëve me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, të cilat filluan në Shkup, e më pas vazhduan në Ohër.

Më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup, marrëveshjen e nënshkruan presidenti i atëhershëm i Maqedonisë Boris Trajkovski, ish kryetari i VMRO-DPMNE-së Lupço Georgievski, kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ai i PPD-së, Imer Imeri dhe i PDSH-së, Arben Xhaferi.

Nënshkrues të marrëveshjes në cilësinë e garantuesve kanë qenë edhe përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së Fransoa Leotar dhe Xhejms Pardju të cilët kanë marrë pjesë në bisedime.

Sikurse para 1 viti, ashtu edhe sot zëdhënësi i partisë më të madhe opozitare shqiptare në Maqedoni, Lëvizjes BESA, Faton Fazliu ka ripublikuar statusin e njëjtë në rrjetin social facebook, me mbishkrimin “Edhe sot në 16-vjetorin e MO-së asgjë nuk ka ndryshuar…”

“Sot qenka 15-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit. Dhe, përsëri pushteti thotë se ajo ka sjellë sukses në ndërtimin e Maqedonisë kohezive, ndërsa qytetari pyet tashmë zëshëm se çka ishte ajo Marrëveshje e Ohrit.

Aktivistët e partive në pushtet do ta mbajnë mend për shkak të terrorit psikik që ua bëjmë shefat pasi që ua kanë gjetur një punë për t’i skllavëruar, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë, në përgjithësi, do ta mbajnë mend si marrëveshje që u pagua me gjak, ndërsa na solli në mesin tonë mafiozë, njerëz që brenda nate u bënë milionerë dhe zhvatës që e nëpërkëmbën frymën e MO-së: barazinë, drejtësinë dhe demokracinë.

Shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen vetëm sepse janë shqiptarë dhe për këtë keni shembull që nga Kumanova, Hasanbegu e deri në sheshin e Shkupit 2014.

Shqiptarët vazhdojnë të vuajnë burgjeve përjetë për faje që ua kanë shpifur dhe për këtë e keni rastin e papërfunduar Sopot, rastin e dhimbshëm Monstra etj.

Dhe, shqiptarët fshihen nga listat zgjedhore dhe u merret e drejta për të votuar, edhe pse ashtu shkelet Kushtetuta.
Ky është rezultati i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit në 15-vjetorin e nënshkrimit të saj dhe rezultati i ndërtimit të Maqedonisë së re në 12-vjetorin e datës kur duhej të përfundonte zbatimi i saj.
Ata që e nëshkruan atë, e vranë, e varrosën dhe bënë dasmë mbi varrin e saj”,
ka shkruar Faton Fazliu në rrjetin social.

Nga ana tjetër, profesori universitar Arsim Sinani vlerëson se nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, në vend të realizimit të saj e përdhosën dhe i harruan idealet për një çikë pushtet.

“16 vite më parë u ndal lufta, çka u bë nëse nuk u kujtohet, merrni shikoni cilët janë pasanikët e sotëm. Ideale të shkelura, ëndrra të përdhosura, dëshmor të harruar. Sot është dita kur idealet u harruan për një çikë pushtet, e idealet mbetën të parealizuara”, ka shkruar Arsim Sinani në facebook.

Dëshmi tjetër e dështimit të Marrëveshjes së Ohrit është nënshkrimi i një marrëveshje tjetër ndërmjet liderëve partiak në Maqedoni, ajo e Përzhinos në të cilën kërkohet implementimi i MO-së.

Kujtojmë se Marrëveshja e Ohrit ka qenë e paraparë të realizohet brenda 4 viteve nga nënshkrimi i saj, gjegjësisht deri në vitin 2005. /tesheshi.com/