16 vjet nga masakra e Lubotenit: a ishte një “Reçak” maqedonas kundrejt shqiptarëve?

Nga Mensur Krasniqi

Ajo fare mirë mund të krahasohet dhe me “Reçakun”, masakrën e njohur të serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë, afër Shtimes, prej së cilës më pas ndërkombëtarët i detyruan të ndërhyjnë. Por në rastin maqedon, sfondi politik ishte ndryshe, zhvillimet pasuese gjithashtu, ndonëse thelbi i njëjtë: ai i një urrejtjeje etnike, gjersa nuk kurseu as fëmijë ndër viktima. Mjafton ky fakt i fundit, për ta krahasuar me Reçakun e dhimbshëm….           

12 gusht, 2001- është kjo një ndër datat përvëluese për zemrat e banorëve shqiptarë të Lubotenit në Shkup. Kjo datë atyre ju përkujton atyre ditën kur forcat maqedonase të sigurisë zhvilluan operacion ndaj civilëve shqiptarë në këtë rajon, me ç‘rast u vranë 10 persona, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu.

Përveç humbjes së jetëve, po ashtu atë natë u dogjën 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin e operacionit se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

Lidhur me rastin e Lubotenit është ngritur procedurë e veçantë nga Tribunali Ndërkombëtare për Krime Lufte, nga e cila në fund u gjykuan ish pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, dhe ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski.

I akuzuari i dytë i shpëtoi burgut dhe u lirua nga Gjykata e Hagës si i pafajshëm, ndërkaq Johan Tarçullovski u dënua me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 2/3 së burgut, apo 8 viteve.

Ajo që më së shumti i shqetësoi asokohe lubotenasit, dhe të cilët e vlerësuan si vrasje e dyfishtë për familjarët e tyre, ishte ardhja e Tarçullovskit nga burgu i Hagës me aeroplan të qeverisë dhe pritja e tij si hero nga Nikolla Gruevski.

Në përvjetorin e kësaj masakre me sfond etnik, ka reaguar Lëvizja BESA. Nëndega e saj në këtë fshat u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerëve, dhe  njëkohësisht ka kritikuar pushtetin që për çdo vit vijnë fotografohen në varrezat e dëshmorëve, ndërsa nga ana tjetër i kanë lënë në harresë të gjallët e këtij fshati.

“Kujdesi për të vdekurit nuk ju amniston nga mospërfillja e të gjallëve!

Sot kur bëhen 16 vjet nga masakra e Lubotenit, kur ne me dhimbje e kujtojmë humbjen e 10 të dashurve tanë, përsëri erdhën ata të pushtetit që të fotografohen mbi varret e tyre, të thonë dy-tri llafe të bukura dhe të ikin pa lënë asnjë gjurmë, pos turpit.

Fshati Luboten, bashkë me dhimbjen për të vdekurit, i ruan – pa asnjë kujdes shtetëror – edhe jetimët si dëshmi që mos të harrohet ajo që na ndodhi neve më 2001.

Përveç kësaj, janë bërë dhjetëra vite që politikanë të ndryshëm vijnë e shkojnë, njësoj si këta që erdhën sot, ndërsa Luboteni vazhdon të vdesë nga etja.

As edhe në vitin 2017 nuk u zgjidh problemi i ujit, ndërsa po këta zyrtarë, që sot erdhën në Luboten, nuk e pranuan amendamentin e Lëvizjes BESA për ujësjellësin e Lubotenit.

E, nëse nuk u kujdesët kurrë për jetimët dhe familjarët e të vdekurve dhe nëse nuk ua bën syri “pët” të votoni kundër ujit për Lubotenin, vërtet duhet të mos kesh fare turp që të vish të aktrosh keqardhje në fatkeqësinë e Lubotenit.

Për këtë arsye, u bëjmë thirrje këtyre, por edhe të gjithë politikanëve të tjerë: “Mos ejani në Luboten për fotografi nëse nuk keni aftësi t’i nderoni familjarët e viktimave dhe nëse nuk mund ta na e mundësoni së paku një pikë ujë!”.

Më poshtë nuk ka ku shkojmë. Aty na sollët pikërisht ju!

Lavdi dëshmorëve dhe turp për keqpërdorësit e gjakut të tyre!”, thonë nga Lëvizja BESA, nëndega Luboten. /tesheshi.com/