14 gushti: dyvjetori i masakrës së Kajros, dita e përgjakshme kur lindi dhe shenja Rabia

I pari president egjiptian i zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhammed Mursi, do ta kishte jetën e shkurtër në krye të detyrës. Më 3 korrik të vitit 2013, ai do të detyrohej forcërisht ta linte zyrën e tij, pas një puçi ushtarak të udhëhequr nga Abdulfettah es-Sisi.

Gjithçka ndodhi provokoi protesta të mëdha në vend, dhe mijëra protestues u mblodhën në sheshet en-Nahda dhe Rabia el-Adevije të kryeqytetit, për të mos lëvizur prej andej me ngritjen e kampeve të improvizuara.

14 gushti i atij viti do të mbetet një ditë e trishtë në historinë e Egjiptit, ndërsa forcat ushtarake u turrën mbi kampet e protestuesve në Kajro, duke vrarë qindra demonstrues e duke terrorizuar mijëra të tjerë. Human Rights Watch e përshkroi atë çka ngjau si “incidentin më serioz të vrasjeve të paligjshme masive në historinë moderne të Egjiptit.” Po sipas së njëjtit organizëm, vetëm në sheshin Rabia el-Adevije u vranë atë ditë më e pakta 1.000 protestues.

Më tej do të pasonin arrestimet, dhunimet, plaçkitjet, e vetë presidenti i rrëzuar do të përballej me një dënim me vdekje, përpos dënimeve me vdekje, me burgim të përjetshëm, e me dhjetëra vite, për qindra anëtarë të Vëllazërisë Muslimane.

Në ato ditë u shfaqën dhe duart me katër gishtat e ngritura lart, të etiketuar si shenja Rabia, e cila mishëronte protestat kundër rrëzimit të Muhammed Mursit.

Platforma Rabia, e cila e shpalli 14 gushtin si Ditën Botërore të Rabiasë, u shpreh nëpërmjet një deklarate, “Shenja Rabia lindi në sheshin Rabia el-Adevije si një si simbol i lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe legjitimitetit, e brenda një kohe të shkurtër u përhap në tërë botën. Shenja Rabia u bë shenja e lirisë jo vetëm e egjiptianëve, por e të gjithë popujve të shtypur të botës.”

Vëllazëria Muslimane nuk ka munguar në këtë ditë t’u kërkojë egjiptianëve të dalin në rrugë për të përkujtuar të vrarët dhe për të protestuar kundër gjakësorëve. Në njoftimin e saj në faqen elektronike thuhet mes të tjerash, “Pavarësisht valës së përshkallëzuar të vrasjeve, torturave, ndalimeve, rrëmbimeve dhe zhdukjeve, revolucionarët dhe populli patriotik i Egjiptit janë ende të angazhuar për ta vazhduar marshimin në udhën e revolucionit. Në përvjetorin e dytë të masakrës së Rabiasë, ne u bëjmë thirrje të gjithë egjiptianëve, aktivistëve, qytetarëve patriotë dhe të ndershëm ta kthejnë të premten e 14 gushtit në një Ditë Zemërimi dhe proteste të madhe revolucionare kundër vrasësve, për të përkujtuar martirët!” /tesheshi.com/

 

 Përgatiti: Bujar M. Hoxha