728 x 90 Leaderboard

10 milionë euro dieta në një vit; mos ka “pjellur gjeli” në Kosovë?!

Nga Bashkim Kastrati

Mëditjet që marrin zyrtarët e institucioneve të Kosovës për udhëtime dhe aktivitete jashtë vendit kanë një kosto të madhe për buxhetin e Kosovës. Për çdo vit harxhohen miliona euro me këtë zë financiar. Disa zyrtarë që udhëtojnë shpesh, kanë të hyra të mëdha krahas rrogës që e marrin për punën që e bëjnë.

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, duke folur në studion e emisionit “Puls” në KTV ka treguar se gjatë auditimit kanë gjetur se gjatë vitit 2017 shpenzimet për mëditje, për udhëtime jashtë vendit janë harxhuar hiç më pak se 9 milionë 417 mijë euro.

“Për ne ka qenë shqetësuese udhëzimi administrativ që ka qenë për mëditje për dy arsye: e para tarifat e shpenzimeve për mëditje, që përfshin akomodim, ushqim etj., duhet të jenë në proporcion me shportën ekonomike të vendit ku shkohet dhe kjo dallon nga viti në vit për shkak të zhvillimit dhe aktivitetit ekonomik. Qeveria nuk kishte përditësuar këto tarifa që nga viti 2003. Problemi i dytë ka qenë që një pjesë e këtyre shpenzimeve janë trajtuar si mëditje, por që realisht kanë qenë shpenzime të lidhura me qëndrimin. Ne i kemi dërguar qeverisë së Kosovës një kërkesë për ta ndryshuar këtë udhëzim administrativ, pra ndryshimin e tarifave dhe me vjen mirë që ka pasur një reagim të shpejt të qeverisë.

Ky vendim ka hyrë në fuqi me 1 korrik të këtij viti. Në bazë të vendimit shihet se ndryshim ka pësuar shteti shqiptar, në të cilin në të kaluarën mëditjet janë paguar nga 209 euro, ndërsa tani është 130 euro. Në këto tarifa përfshihet fjetja dhe ushqimi bashkë me shpenzime tjera të vogla. Kurse ndryshim tjetër shihet edhe tek Afganistani, vend në të cilin më parë është paguar mëditje prej vetëm 82 eurosh, kurse me vendimin e ri, mëditja për këtë vend shkon deri në 200 euro”, sqaron Osmani.

Mëditjet janë të larta duke marrë parasysh varfërinë në Kosovë

Këto mëditje për udhëtime jashtë vendit konsiderohen si një luks, kur merret për bazë gjendja e rëndë socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Ekonomisti Lulzim Beqiri thotë se harxhimi i miliona eurove për mëditje është zhvatje e buxhetit të Kosovës, e derisa në anën tjetër ka plotë institucione që nuk mund t’i ofrojnë qytetarëve të Kosovës shërbimin e duhur, siç ndodh në spitale që mungojnë barnat elementare.

“Janë 10 milionë euro mëditje e udhëtime vetëm në vitin 2017, ‘patriotët’ kosovar po e zhvatin shtetin e tyre deri në palcë, plot 10 milionë euro, s’ka lidhje 15% e popullatës jetojnë në kufirin minimal të ekzistencës me një ndihmë rreth 70 euro”, ka thënë Beqiri.

Ai thotë se duhet të ndërrohet ky mentalitet qeverisës i zhvatjes së buxhetit dhe harxhimeve të panevojshme nga zyrtarë të institucioneve.

“Kosovës nuk i duhet liberalizim i vizave, Republikës sonë i duhet zhvillim, i duhet mos me vjedh vetveten, mos me e shit veriun, mos me tradhtua kauzën e luftës, kjo i duhet Kosovës, janë qindra miliona euro që zhvaten nga grupe zhvatëse, pse me ik unë, andaj popull i dashur jemi mbrapa me kohë, ky popull duhet me lëviz drejt një të ardhme të sigurt, pa garniturën aktuale, koha e ndërrimeve koha e shpëtimit”, ka thënë Beqiri. /tesheshi.com/

 

Related posts